Moduli 6

Shenja Rajonale e Markës Besimit në e-tregti

Çfarë është Shenja Rajonale e Markës Besimit?

Shenja Rajonale e Markës Besimit është shenjë vizuale, e cila do të shfaqet në ueb faqet e e-dyqaneve (dyqaneve elektronike) që vijnë nga cilido prej tregjeve të CEFTA-s, që iu mundëson blerësve të identifikojnë lehtësisht se dyqani është person i regjistruar juridik. Shenja Rajonale e Markës Besimit është krijuar për të zvogëlua mosbesimin e konsumatorëve dhe për të trajtuar pengesën më të madhe për konsumatorët gjatë marrjes së vendimit për të bërë ndonjë blerje – takimi me ndonjë shitës elektronik të panjohur, veçanërisht kur blerja është jashtë kufijve shtetëror.

Përse duhet të keni Shenjë Besimi në ueb faqen tuaj?

Në internet, si dhe në botën reale, përshtypja e parë është shumë e rëndësishme. Kur klientët e mundshëm e vizitojnë faqen tuaj të internetit për e-tregti (tregti elektronike), mendimi i tyre për ju bëhet jetik. Veçanërisht kur keni të bëni me transaksione ndërkufitare, nëse klientët ju konsiderojnë si të pabesueshëm ose që nuk keni kredibilitet, ka shumë të ngjarë që ata do të braktisin faqen tuaj. Vendosja e Shenjës Rajonale tëi Markës Besimit në një e-dyqan e rrit besimin e konsumatorëve te e-shitësit (shitësit elektronik) të panjohur, sepse ata e dinë që një palë e tretë e pavarur e ka kontrolluar tërësisht pajtueshmërinë e shitësit me ligjet dhe rregulloret, duke i dhënë konsumatorit besimin për të bërë një blerje.

Cili është qëllimi i Shenjës Rajonale të Markës Besimit?

Qëllimi i kësaj shenje është të përmirësojë cilësinë e dyqaneve onlajn, të cilat vijnë nga të 7 tregjet e CEFTA-s dhe të krijojë besim midis shitësve/ofruesve të shërbimeve onlajn dhe konsumatorëve të cilët shfrytëzojnë e-tregti. Krijimi i besimit ndërmjet e-shitësve dhe konsumatorëve do të stimulojë tregtinë elektronike si në tregun kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar dhe do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë rajonale. Shenja Rajonale e Markës Besimit gjithashtu mundëson që e-shitësit të njihen dhe veçohen si relevantë në nivel rajonal, pa pasur nevojë të aplikojnë në çdo treg në të cilin ata shesin individualisht.

Si të merrni Shenjën Rajonale të Markës së Besimit?

Përpara se të lëshohet Shenja Rajonale e Markës Besimit, dyqani duhet të marrë një Shenjë Kombëtare të Markës Besimit nga shoqata lokale e e-tregtisë. Pasi e-dyqani ta ketë marrë Shenjën Lokale të Markës Besimit, e-shitësi duhet të aplikojë dhe duhet të plotësojë kërkesat bazë ligjore dhe të ndjekë rregullat e përshkruara në Kodin e Sjelljes, siç përcaktohet gjatë një periudhe auditimi. Shenja do të vendoset vetëm në ueb faqet e e-shitësve të cilët kanë aplikuar për të dhe i janë nënshtruar me sukses kontrolleve nga një prej shoqatave të e-tregtisë në CEFTA, duke siguruar respektimin e rregulloreve dhe detyrimeve të nevojshme për të operuar në e-tregti.

Si të njihet e-shitës me Shenjë Rajonale të markës së besimit?

Një dyqan onlajn mund të shfaqë Shenjën Rajonale të Markës së Besimit në një ose më shumë vende të faqes. Shenja konfirmon se është kryer një auditim i pavarur i e-shitësit. Shenjën mund ta gjeni në vende të ndryshme në ueb faqen e e-dyqanit: në përshkrimin e produktit, kur shfaqni shportën tuaj, në kokën ose fundin e faqes dhe në pozicione të tjera.